Ndërkohë që kanë kaluar 48 orë nga sulmi me raketa i amerikanëve mbi bazën ajrore të Bashar Al Asadit, nga e cila mendohet se nisi ofensiva me armë kimike mbi civilët, në mediat botërore po qarkullon një pyetje shumë e rendësishme që ka të bëjë me sistemin e mbrojtjes kundër ajrore të Rusisë në Siri, shkruan Albeu.com.
Mediat perëndimore shkruajnë se sistemet e avancuara kundër-ajrore të Rusisë S300 dhe S400 kanë marrë në mbrojtje hapësirën ajrore të Sirisë, madje ishin edhe pranë bazës që u godit me raketat amerikane “Tomahaëk”, por rusët nuk lëvizën fare nga vendi për të parandaluar këtë sulm.
Reuters shkruan se dy janë mundësitë që shpjegojnë këtë mos reagim të rusëse ndaj 59 raketave “Tomahawk” të amerikanëve: Ose ata janë marrë vesh me amerikanët ose sistemet e shumë reklamuara të tyre kundër ajrore nuk munden të perceptojnë sulmin, ç’ka do të ishte një reklamë shumë e keqe sidomos për sistemin kundër-ajror S400 Triumph, të cilin Rusia e shet si më të avancuarin në botë, përcjell Albeu.com.
Raketat kundër-ajrore S400 Triumph mund të përdoren kundër avionëve luftarak si edhe kundër raketave. Ato mbulojnë një rreze prej rreth 350 kilometrash dhe konsiderohen nga rusët si më të avancuarat në botë. /Albeu











