Suspendim për stadiumin në Çair, ndërsa ndaj KF Shkupi është ngritur procedurë disiplinore

Komiteti garues i Federatës së futbollit të Maqedonisë (FFM) mori vendim të suspendojë stadiumin në Çair për një kohë të pacaktuar, derisa të merret vendim përfundimtar nga Komiteti disiplinor.

Njëkohësisht, kundër KF Shkupi 1927 është ngritur procedurë disiplinore dhe lënda i është dorëzuar Komitetit disiplinor të FFM-së.

Shkaku për vendimin janë “incidentet në ndeshjen e xhiros së 7-të në LFM-së, midis KF Shkupi dhe KF Maqedonia GJP, kur një pjesë e grupit të tifozëve vendas ndezën dhe hodhën pishtarë në fushë dhe në zonën ku ndodhej produksioni televiziv i ndeshjes, duke shkaktuar dëme serioze në një pjesë të pajisjeve të TVM-së, i cili po realizonte transmetimin e drejtpërdrejtë”.

Edhe krahas reagimeve të shërbimeve të FFM-së dhe delegatit të ndeshjes ndaj personave zyrtarëve të KF Shkupi gjatë ndeshjes, thuhet, “nuk u ndërmorën masa për të parandaluar dëme të mëtejshme”.

Televizioni i Maqedonisë me anë të një shkrese zyrtare e informoi FFM-në se dëmi duhet të kompensohet dhe se “stadiumi në Çair nuk ka kushte për transmetime televizive pa ndërprerje dhe profesionale”, prandaj nuk do të transmetojë drejtpërdrejt nga ky stadium “derisa të krijohen kushte të sigurta pune”.

FFM-ja edhe një herë u bën apel të gjitha klubeve që “të marrin përgjegjësi maksimale dhe masa për të siguruar rendin dhe kushtet e përshtatshme të punës, me qëllim krijimin e një atmosfere të sigurt dhe sportive në të gjitha stadiumet në vend”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu