Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është pyetur nga një gazetar i “Reuters” teksa po dilte nga një kishë nëse SHBA-të do ta sulmojë Korenë e Veriut pas testit bërthamor që kreu ditën e djeshme.
“Do ta shohim,”kjo ka qenë përgjigja e presidentit amerikan.
Steve Holland, gazetari i Reuters, i cili i mbulon ngjarjet politike dhe Shtëpinë e Bardhë në SHBA, ka shkruar në llogarinë e vet në Twitter për pyetjen që ia ka bërë Trump dhe për përgjigjen që ka marrë.
Ndërkohë, Presidenti amerikan ka reaguar ashpër ndaj testit të madh bërthamor të Koresë së Veriut.
“Fjalët dhe veprimet e Koresë së Veriut, vazhdojnë të jenë shumë të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara”, shkroi ai në Twitter, ditën e djeshme.
Në një seri postimesh, ai shkroi gjithashtu se Koreja e Veriut është një komb komunist, që është bërë një kërcënim dhe turp i madh për Kinën, e cila sipas tij, po përpiqet të ndihmojë por ka pasur shumë pak sukses.
“Ashtu sic kam paralajmëruar, Koreja e Jugut ka kuptuar se bisedimet me Korenë e Veriut nuk do të funksionojnë”, shtoi Presidenti amerikan. /SYRI.net










