Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e përshkroi si “dinamike” ditën e djeshme, ndërsa foli për zhvillimet në Kryesinë e Kuvendit dhe për “kalkulime elektorale”.
“Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?”, shkroi Tahiri në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Në Kryesi, qasja e GP të LVV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shtoi Tahiri.
Ai tha se të gjitha këto, “bllokadat, refuzimet dhe vonesat”, janë për “pozicionim politik” dhe se po vjen “era zgjedhje”.
“Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në. Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, shkroi ai.










