Takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Shkup, ja cili do të jetë fokusi?

Në Shkup, të hënën dhe të martën do të mbahet një samit i nivelit të lartë mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, kushtuar Strategjisë për Zhvillim dhe Planit të Rritjes për rajonin. Pjesëmarrëse në samit do të jetë edhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Qeverisë, të hënën do të zhvillohet një takim kokë më kokë midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe komisioneres Kos, pas së cilës do të mbahet edhe një takim bilateral me delegacione të zgjeruara.

Samiti do të vazhdojë të martën me dy panele kryesore.

Paneli i parë do t’i kushtohet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku fjalë hyrëse do të mbajnë kryeministri Hristijan Mickoski dhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos. Pas përfundimit të panelit do të mbahet konferencë e përbashkët për media.

Paneli i dytë do të fokusohet në zbatimin konkret të Planit të Rritjes, ku do të marrin pjesë ministra nga vendet pjesëmarrëse, përfaqësues të BE-së, organizata rajonale dhe partnerë ndërkombëtarë.

Komisioni Evropian konfirmoi dje se komisionerja për zgjerim do të qëndrojë në Shkup për të diskutuar me liderët e rajonit në kuadër të Planit të Rritjes. Përveç kryeministrit Mickoski, në takim do të marrin pjesë edhe liderët e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu