Taksa beqarëve në Maqedoninë e Veriut! Paralajmërimi i Mickoskit për shkak të rënies së nivelit të lindjeve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski po mendon për vendosjen e një takse për të rinjtë e pamartuar. Edhe pse nuk sqaroi saktësisht çfarë do të thotë kjo masë apo nga cila moshë një beqar do të paguante taksë, ai tha se gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë vetëm dhe gjithnjë e më pak martohen dhe si pasojë ka rënë niveli i lindjeve në vend.

“Të ndërtojmë një shtet në të cilin shpresa është më e rëndësishme se pasaporta. E dimë që nuk ka zgjidhje magjike, por ka një luftë të qëllimshme dhe të qëndrueshme shtetërore dhe ne e kemi filluar atë. Çdo masë, investim dhe politikë që marrim është me qëllim që të rikthejmë besimin, dhe po shqyrtojmë seriozisht vendosjen e taksave shtesë për të pamartuarit”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Mickoski tha se të dhënat demografike janë alarmante, pasi përqindja e vdekjeve është më e lartë se ajo e lindjeve, ndërsa akuzoi qeveritë paraardhëse se nuk e kanë trajtuar seriozisht problemin e natalitetit të ulët.

“Faktet janë të qarta. Në katër vitet e fundit kemi humbur mbi 33 mijë banorë, njësoj sikur të zhdukej një qytet i tërë i vogël”, u shpreh ai.

Kryeministri maqedonas theksoi nevojën për të ndërtuar institucione që ruajnë dhe zhvillojnë potencialin rinor. Ai e quajti këtë sfidë si problem që prek jo vetëm vendin e tij, por të gjithë kontinentin evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu