Taksa për Serbinë, Haradinaj “dhëmbë për dhëmbë” me SHBA

Tarifa 100% që Kosova ka vendosur prej më shumë se një muaji për mallrat serbe është kthyer në një çështje të nxehtë, e cila po përplas qeverinë e kryeministrit Haradinaj edhe me ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Pas parlajmërimeve nga Mogherini, të cilat u hodhën poshtë nga Haradinaj, ka qenë radha e ambasadës së SHBA-ve për të kërkua vijueshmërinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe tërheqjen e tarifës, për të cilën thonë se ka ndikim negativ në interesat e tyre.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara. Ne ritheksojmë pikëpamjen tonë se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e Dialogut. Presim edhe nga hisedarët tjerë të ndërmarrin masat e tyre konstruktive. Ne këshillojmë kundër të supozuarit se Kosova apo cilido mik tjetër i Shteteve të Bashkuara mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, thuhet në komunikatë.

Shtetet e Bashkuara insistojnë se “veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”.

“Ajo çka është e nevojshme tani është një lidership i guximshëm për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ajo që na ndihmon neve për të mbajtur një marrëdhënie të fortë bilaterale”, përfundon komunikata e Ambasadës së SHBA-së.

Por, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj duke mos marrë aspak parasysh se kush e ka artikuluar kërkesën e fundit, është përgjigjur me kokfortësi, duke refuzuar tërheqjen e taksës ndaj Serbisë.

Sipas tij, Kosova do ta pezullojë vendimin vetëm nëse ka garanci për njohjen e shtetit më të ri në botë nga Serbia.

“Jo jo nuk ka diçka të kësaj natyre. Ne kemi hyrë në disa dimensione të reja në politikë në Kosovë do të thotë këtë vit shumicën e kohës do ia kushtojmë ekonomisë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi janë të rëndësishme, ndonjëherë kanë për t’u rregulluar, por duhet me iu pri edhe marrëdhëniet politike. Pra pa një marrëveshje politike Kosovë-Serbi është zor me i mbajtur të rregulluara marrëdhëniet tjera. Ne jemi të hapur, pra jemi të interesuar për ta pezulluar taksën nëse ka gatishmëri për njohjen e Kosovës”, ka thënë ai për mediat kosovare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu