Taravari: (V)LEN u demaskua, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë – rruga drejt BE-së po mbyllet

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas deklaratës publike të Kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duke theksuar se me këtë qëndrim u rrëzua përfundimisht çdo premtim i (V)LEN-it për “rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian”.

Sipas Taravarit, në vend që të hapen perspektivat evropiane, rrugët drejt Brukselit po mbyllen çdo ditë e më shumë, ndërsa integrimi evropian po shndërrohet në një proces pa fund dhe pa vizion. Ai vlerëson se realiteti politik po e mban vendin të bllokuar në vendnumëro, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Qytetarët po izolohen, po varfërohen dhe po humbin shpresën. Çmimin e kësaj paaftësie të thellë politike po e paguajnë të gjithë, por veçanërisht shqiptarët, të cilët sot po përballen me faturën e impotencës politike të (V)LEN-it. Premtuan ndryshim, por sollën heshtje dhe nënshtrim,” ka deklaruar Taravari.

Ai thekson se koha e alibive ka përfunduar dhe se nuk ka më hapësirë për justifikime apo mashtrime me të ardhmen evropiane të vendit.

“Koha për veprim është tani,” përfundon Taravari, duke shtuar se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe të perspektivës evropiane të shtetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu