Pas kalimit të 4 tureve të suksesshme për t’u kualifikuar në grupet e Europa League, ekipi korçar i Skënderbeut ka shënuar një tjetër faqe të historisë së futbollit shqiptar për klube.
Saint Julia, Kairat Almaty, Mlada Boleslav dhe së fundmi Dinamo e Zagrebit ishin ekipet që korçarët arritën të eleminonin.
Pas kualifikimit në vitin 2014 për në fazën e grupeve të kompeticionit Europa League, Skënderbeu arriti sërish të ripërsërisë historinë, e tashmë do të ndeshet në Europë me ekipe si Dinamo e Kievit, Partizani i Beogradit dhe Young Boys.

Por duket se fakti që tashmë nuk është më vetëm një ekip i Korçës, por edhe i gjithë shqiptarëve, ka bërë që Skënderbeu të ndryshojë emrin…të paktën në Facebook.
Në këtë rrjet social faqja zyrtare e Skënderbeut quhej “KF.Skënderbeu Korçë”.
Por tashmë, pas këtij suksesi të madh në Europë administratorët e faqes e kanë ndryshuar emrin duke e quajtur “KF.Skënderbeu”.










