Të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore në fokus të SHBA-së; Njohësit flasin për momentin historik

Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është futur zyrtarisht në agjendën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo u konfirmua nga senatori amerikan, Self, i cili ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e shqiptarëve në këtë rajon nën administrimin e Serbisë.

Në deklaratën e tij, senatori theksoi se diskriminimi i shqiptarëve nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe se po paraqet rrezik real për stabilitetin e rajonit. Sipas tij, politika e Beogradit ndaj Luginës së Preshevës duhet të trajtohet në mënyrë urgjente, sidomos në kontekstin e agresivitetit të vazhdueshëm të Serbisë kundrejt Kosovës.

Përfshirja e këtij problemi në agjendën amerikane shihet si një hap i rëndësishëm diplomatiko-politik, i cili mund të rrisë presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë dhe trajtimin e barabartë të tyre në institucionet shtetërore.

Hasani: Vetëm Amerika do të zgjidhë drejt, çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Profesor Refik Hasani, për “Bota Sot”, ka vlerësuar si historike ngritjen e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Kongresin Amerikan më 2 dhjetor 2025. Ai theksoi rolin vendimtar të SHBA-së dhe nevojën për angazhim edhe më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në këtë Krahinë.

Hasani tha se shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen në polici, në përfaqësim institucional dhe në pasivizimin e adresave, të cilin e quajti “pastrim etnik”. Sipas tij, militarizimi në zonë me 48 minibaza të ushtrisë serbe krijon frikë dhe pasiguri te qytetarët.

Ai kërkon presion ndaj Serbisë dhe garantimin e të drejtave kolektive e individuale për shqiptarët e Luginës.

“Është për të përshëndetur rezultatet konkrete, të matëshme që çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, më 2 dhjetor 2025, u ngrit dhe shtruara me fakte nga praktika të tjera diskriminuese, të faktuara e të dokumentuara prej vitesesh, pra më dëshmi të bollshme nga Kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, ku prezantoi Rezolutën e parë në historinë e Kongresit Amerikan për çështjen e Krahinës ton,pas ngritjes në disa seanca ndër vite në instanca më të lartë të BE-së, pas Rezolutës, së miratuar më 8 korrik 2022, nga Parlamenti Evropian, që kërkohet hetim për pasivizimin e vendbanimeve për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, pas ngritjes së diskriminimit dhe çështjes së shqiptarëve të kësaj Krahinë, nga Presidenti shqiptarë Bajram Begaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 24 shtator 2025.

E vlerësojmë në nivelin dhe notën më të lartë, arritje e mirë dhe e lakmueshme, sepse roli i SHBA-së, në këtë rrafsh është i madh, shumë i domosdoshëm, dhe i pazëvendësueshëm. Do të duhej, që SHBA-ja, të angazhohet tani me ritëm e intensitet më të plotë, dhe të gjithanshëm për këtë Krahinë, por edhe të vizitojnë e rrisin prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat indviduale dhe kolektive, dhe shtimin e presionit ndaj Beogradit zyrtar.

Vazhdojmë të përballemi dhe ballafaqohemi me diskriminim në polici-zingjirin komandues, në përfaqësim proporcional në institucione Lokale dhe Qendrore të Republikës së Serbisë, diskriminimi edhe në pasivizimin e adresave-NJË PASTRIM ENTIK. Sfidat, vazhdojn se statusi politik i Krahinës shqiptare, të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, nuk është zgjidhur ende, përkundër vullnetit plebishitar të kësaj Krahine, Referendumin e datës 1 e 2 Mars 1992,dhe kryengritjes së armatosur UÇPMB-ës, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj Krahine, por edhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit.

Mungon liria e lëvizjes, në Malësi të Bujanocit, në disa pjesë të Medvegjës, në fshatrat e Preshevës në kufi me Kosovën, një pasiguri në mesin e qytetarëve të kësaj krahine, dhe kemi arsenal të lartë dhe të ndryshme të armatimeve luftarake që jan në gatishmëri, është për të krijuar panik e dro, pasiguri, për të mbjell frikë, e psikozë. Serbia i ka shtuar forcat e armatosura, dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht edhe pas kaq viteve, janë 48 MINIBAZA në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Shqiptarët, në Serbi jetojnë në kushte diskriminimit klasik, është demotivim për rini dhe kuadrot e shkolluara, duke ju ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, migrim e asimilim”, thekson ai.

Profesori Hasani thekson se Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ende nuk i është zgjidhur statusi politik dhe kërkon që çështja të trajtohet nga SHBA, BE dhe OKB. Ai e konsideron moment historik faktin që Lugina është futur në agjendat ndërkombëtare, duke kërkuar unifikim dhe koordinim të faktorit shqiptar, ashtu si në Referendumin e vitit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe Marrëveshjen e Konçulit.

Hasani shpreh bindjen se Rezoluta e Kongresistit amerikan Keith Self do të miratohet dhe kërkon presion mbi Serbinë që të ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve dhe pakicave të tjera.
Ai propozon që parlamenti serb të ketë vende të rezervuara për pakicat dhe të përbëhet nga dy dhoma, duke garantuar përfaqësim proporcional dhe të drejta kolektive për të gjitha komunitetet në Serbi.

“Kjo Krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik, dhe kërkon zgjidhje dhe do të duhej të ngritet, shtrohet e debatohet nga SHBA-ja, nga BE-ja, duke përfshi edhe nga OKB-ja. Është momenti historik që çështja është furir në agjendën më të lartë, dhe kjo kërkon që të jemi, tregohemi të unifikura, koordinura, harmonizuar duke vazhdura të shfaqim çështjen tepër të artkuluar, para gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, sikur që u treguam në Referendumin 1 e 2 mars 1992, në Kryengrijen e armatosur të UÇPMB-ës, dh arritjen e marrëveshjes së Konçulit më 20 maj 2001.

Të gjithë ne, duhet të reflektojmë, edhe në planin, dhe strategjinë e platformën e unifikuar se edhe kjo Krahinë i përket Evropës, dhe Rajoni i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nuk është vetëm çështje e brendshme e Serbisë, sepse kjo Krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik, dhe kërkon zgjidhje të drejtë.

Shprehi mendimin, që është i bazuar, në rrjedha të ngjarjeve dhe rrjedhave të historisë, se qëndrimi i Kongresistit Amerika Keith SELF, është i drejtë dhe do të miratohet Rezoluta edhe në Kongresin Amerikan për çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Serbia, sa më parë aqë më mirë, të ndryshoj narrativat, ’’të mos brengoset’’, në Kosovë, Bosnjë Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni të Veriut, duhet ti kthehet Entiteteve, që Serbia i quan pa të drejt minoritete, se nuk janë minore në statistik, për nga përqindja në nivel të Serbisë, pasi

– Vojvodina si ish-Njësi e barabartë e Jugosllavisë, të mos e mbaj peng,

-Referendumi 1 e 2 mars 1992, i Krahinës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,

-Referendumi i 25,26 dhe 27 tetor 1991, i Krahinës së Sanxhakut, si dhe;

-Rumunë, Bullgarë, Romë, etj

Përmes kësaj deklarate, kujtoj që jo vetëm SHBA-ja, por edhe BE-ja, dhe OKB-ja, të kërkojnë me ngulm nga Serbia që përfaqësimi proporcional i këtyre nacionaliteteve në Parlamentin e Serbisë, të jetë me vende të rezervuara dhe Parlamenti i Serbisë, të përbëhet nga DY DHOMA. Serbia të kushtëzohet, dhe të sanksionohet deri në realizim të plotë të gjithë të drejtave individuale dhe kolektive të gjithë nacionaliteteve që janë si Entitete në Serbi dhe në Vojvodinë” – përfundon ai.

Hyseni: Historike: Kongresi Amerikan akuzon Serbinë për diskriminim sistematik të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës!

Analisti Nehat Hyseni vlerëson se pas 34 vite përpjekjesh politike dhe pas Referendumit të vitit 1992, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës më në fund ka hyrë zyrtarisht në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Sipas tij, kjo ndodhi pas dëgjimit të posaçëm në Kongresin Amerikan, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self.

“Përpjekjet e pandërprera të shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Medvegjës Preshevës dhe Bujanocit në 34-5 vitet e fundit, d.m.th. nga vendosja e sistemit shumë partiak dhe sidomos pas mbajtjes së Referendumit të vitit 1992 për autonomi politike dhe bashkim me Kosovën, kur shqiptarët në Serbi filluan organizimin e pavarur politik nga Beogradi, Leskovci dhe Vranja dhe formuan partitë shqiptare që artikulojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve. Tash për herë të parë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka hyrë zyrtarisht në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, pas një dëgjimi të posaçëm në Nënkomitetin për Evropë të Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan.

Seanca, e udhëhequr nga kongresisti republikan Keith Self, këto ditë vuri në qendër të debatit pasivizimin administrativ të adresave të shqiptarëve dhe diskriminimin sistematik që autoritetet serbe i bëjnë ndaj shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.

Pasivizimin administrativ të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cilësoi si një praktikë “të papranueshme”, duke theksuar se ajo përbën një formë moderne të spastrimit të heshtur etnik. Sipas tij, politikat e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe agresiviteti i saj ndaj Kosovës po krijojnë rreziqe të reja për paqen në Ballkan. “Serbia nuk mund të trajtohet si partner i besueshëm ndërsa vazhdon të shkelë të drejtat e qytetarëve të saj shqiptarë,” u shpreh ai, duke kërkuar që diplomacia amerikane të kalojë nga “tolerimi” në presion aktiv.

Në dëgjim morën pjesë ekspertë të njohur të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, përfshirë: Edward P. Joseph, profesor në Johns Hopkins SAIS, Luke Coffey, analist në Hudson Institute, Max Primorac, këshilltar i lartë në Heritage Foundation. Ata theksuan se Serbia ka zbatuar për vite me radhë një strategji të qëllimshme ndaj Luginës së Preshevës, përmes: pasivizimit administrativ të adresave të shqiptarëve, presioneve institucionale, kontrollit politik të komunave, manipulimit demografik dhe ekonomik dhe marginalizimit kulturor të shqiptarëve.

U konstatua gjithashtu se Serbia po manipulon demografinë e shqiptarëve, duke u përpjekur parreshtur për të zvogëluar numrin real të shqiptarëve në Serbi, me qëllim që ta zvogëloj numrin real të tyre, sidomos në komunën e Medvegjës ku pothuajse është arritur spastrimi i plotë etnik i kësaj komune nga Shqiptarët”, shpjegon ai.

Hyseni thekson se Kongresi amerikan dënoi diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkoi presion ndaj Serbisë, duke shtuar se për herë të parë kjo çështje u fut në agjendën zyrtare të politikës së jashtme të SHBA-së, duke u cilësuar si rrezik gjeopolitik dhe duke hapur rrugën për mbështetje dhe masa konkrete për shqiptarët.

“Rëndësi të veçantë ka fakti se kongresistët nga të dyja partitë – demokratë dhe republikanë – u bashkuan në një konstatim të përbashkët, se: “diskriminimi i shqiptarëve në Serbi është sistematik dhe i rrezikshëm për stabilitetin rajonal”.

Prandaj, në seancë u kërkua: rritja e trysnisë mbi Serbinë, rishikimi i politikës së SHBA ndaj Beogradit, rritja e mbështetjes për komunat shqiptare të Luginës dhe mbrojtje konkrete e të drejtave të qytetarëve që po goditen nga pasivizimi. Disa anëtarë të Kongresit e krahasuan situatën me praktikat e spastrimit administrativ në vende të tjera, duke paralajmëruar se tolerimi i mëtejshëm mund të çojë në përshkallëzim.

Kjo është një arritje jashtëzakonshme dhe historike për shqiptarët në Luginën e Preshevë, që më në fund, çështja e diskriminimit sistematik të tyre ka hyrë fuqishëm në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Sepse, Sipas Joseph, injorimi i kësaj situate nga Perëndimi ka krijuar një “zonë gri pa të drejta”, duke i dhënë Serbisë hapësirë të lirë që të ndërtojë një realitet të ri demografik në kufirin me Kosovën.

Ky moment është historik dhe është hera e parë që Luginës së Preshevës i kushtohet një dëgjim i posaçëm zyrtar në Kongresin amerikan. Kjo nënkupton: futjen e çështjes në dokumentet punuese të politikës së jashtme të SHBA-së, rritjen e vëmendjes në Departamentin e Shtetit dhe hapjen e rrugës për masa të drejtpërdrejta politike dhe diplomatike.

Kështu, epoka e heshtjes për këtë pjesë të Shqiptarisë definitivisht mbaroi dhe dëgjimi në Kongres shënon fundin e periudhës së indiferencës ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës.

Për herë të parë, politikat diskriminuese të Serbisë u trajtuan si rrezik gjeopolitik dhe si çështje serioze e të drejtave të njeriut. Kjo krijon mundësi të reja për diplomacinë kosovare dhe shqiptare dhe i jep komunitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës një platformë të re amerikane, që realisht ka ngjallur shpresat për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë”, përmbyll ai për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu