I është dhënë sot lamtumira e fundit artistit të madh, kantautorit Françesk Radi nga miqtë, kolegët dhe familjarët.
Në hollin e Radio Televizionit Shqiptarë u mbajtën homazhet për të nderuar kujtimin e tij.
Bashkëshortja e tij Tefta Radi nuk mundi të mbante lotët nga dhimbja.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve që nderonin bashkëshortin e saj, Tefta i ka falënderuar të gjithë për ngushëllimet:
“Dua thjesht t’ju përshëndes, t’ju falënderoj për respektin ndaj Frankos. Dua të them se unë u dashurova me Frankon atëherë kur të tjerët kishin frikë t’i flisnin dhe prej tij u bëra kopje e tij, mësova si të dashuroj, si të punoj dhe si të kem dinjitet. Faleminderit të gjithëve për respektin!”- tha ajo duke i përlotur të gjithë.