Temperatura të ulëta në Gjermani! Mbyllen shkollat dhe anulohen fluturimet në aeroportin e Frankfurtit

Moti i keq me temperatura shumë të ulëta ka përfshirë Gjermaninë perëndimore, duke krijuar kushte të rrezikshme akulli dhe duke paralizuar pjesërisht jetën publike. Si pasojë, mbi 100 fluturime janë anuluar në aeroportin e Frankfurtit, ndërsa disa shkolla janë mbyllur.

Shërbimi Meteorologjik Gjerman ka lëshuar nivelin e dytë më të lartë të paralajmërimit për zona të gjera të vendit, pasi stuhia e quajtur “Gunda” solli reshje shiu që u ngrinë menjëherë në kontakt me sipërfaqet e ftohta, duke krijuar një situatë emergjente akulli.

Autoritetet u kanë bërë thirrje shoferëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe, në rast se udhëtimi është i domosdoshëm, të jenë të pajisur me karburant të mjaftueshëm, batanije dhe pije të ngrohta.

Shkollat kanë mbetur të mbyllura në disa landë, përfshirë North Rhine-Westphalia, Saksoninë e Poshtme dhe Bremenin, ndërsa nxënësit kanë kaluar në mësim në distancë.

Ndërkohë, disa autostrada në North Rhine-Westphalia, Rhineland-Palatinate dhe Hessen janë përballur me bllokime të mëdha trafiku dhe aksidente të shumta, veçanërisht në rajonin Sauerland. Probleme serioze janë raportuar edhe në transportin hekurudhor në të gjithë vendin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu