Që nga fundi i Janarit tensionet në zonën e pabanuar në kufirin detar greko-turk kanë qenë të ndezura por sot mesa duket kanë marrë përmasa të tjera.
Dy luftanije njëra greke dhe tjetra turke u vunë ballë për ballë në afërsi të ishujve Imia (ose Karadak në Turqisht) në Detin Egje.
Agjencia turke e lajmeve “IHA” tha se një luftanije greke iu afrua ishujve të diskutueshëm. Në të njëjtën kohë në zonë u afrua edhe një luftanije turke, në përpjekje për t’i prerë rrugën asaj greke.
“IHA” tha se dy luftanijet e dy vendeve anëtare të NATO-s ishin vetëm rreth 100 metra larg njëra-tjetrës.
Sipas saj, mes dy luftanijeve hyri një anije patrullimi e rojës bregdetare turke, e cila bëri manovra të ndryshme për largimin e luftanijeve.
Dy luftanijet më pas ndryshuan kurs dhe u larguan nga zona e diskutueshme. Anija greke lëvizi drejt ujërave greke ndërsa luftanija turke u rikthye në portin e Bodrumit.
Ardhja e luftanijes greke në zonë mendohet të ketë ardhur si kundërpërgjigje ndaj një vizite që një anije turke patrullimi bëri në ishujt e diskutueshëm mesditën e sotme. /albeu