Tërmeti i mbrëmshëm nxori jashtë banorët – Eksperti tregon se a do të ketë pasgoditje

Frikë, panik dhe largim nga lokalet apo banesat ku ndodheshin. Kështu e përjetuan mbrëmë Tetovarët tërmetin. Një pjesë e banorëve lëshuan shtëpitë e tyre, nga droja se dridhjet mund të përsëriteshin.

“U frikësuam, edhe pse nuk ishte shumë i fortë. Kemi përjetuar edhe më të rënda më parë. Nuk dolëm jashtë sepse ishim në përdhesë, por për fat të mirë kaloi pa pasoja”, tha një banor.

“U frikësuam shumë. Dolëm menjëherë nga shtëpia. Ishte diçka e keqe, pothuajse të gjithë dolën mbrëmë”, u shpreh një banor.

“Jo, ne nuk dolëm jashtë. Të gjithë dolën, por ne qëndruam brenda. Këto gjëra të frikësojnë, nuk janë të lehta, por çfarë është shkruar, do të bëhet”, theksoi një banore.

Më të shqetësuar janë banorët e Tetovës të cilët jetojnë në pallate shumëkatëshe. Por ekspertët qetësojnë se edhe po të ketë dridhje të reja të tokës nuk do të jenë në të njëjtin intensitet.

“A ka rrezik për tërmete të tjera gjatë kësaj periudhe? Sipas shkencës, mund të ketë pasgoditje, por zakonisht ato janë me magnitudë më të vogël se tërmeti kryesor. Tërmeti që ndodhi dje në rajonin e Prizrenit, i cili u ndje edhe në vendin tonë, është pjesë e zonës sizmike të Malit Sharr. Këto janë tërmete të pritshme për këtë rajon, pasi në botë ekzistojnë katër breza kryesorë sizmikë dhe njëri prej tyre përfshin edhe zonën ku ndodhemi ne”, tha Enis Jakupi, Inxhinier i tërmeteve dhe konstruksioneve arkitektonike.

Tërmeti i një ditë më parë me magnitudë 4.9 ballë kishte epiqendrën në Kosovë. Sipas ekspertëve zhvillimet tektonike në këtë rajon kanë bërë që, gjatë shekullit të fundit, Mali Sharr të ngrihet për rreth 9 milimetra./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu