Ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, përfundoi me rezultat të bardhë 0:0 në stadiumin “Air Albania” më 7 qershor.
Pavarësisht disa rasteve të mira për gol dhe një 11-metërshi për kuqezinjtë, sfida nuk prodhoi fitues.
Megjithatë, përtej aspektit sportiv, mediat serbe janë përqendruar kryesisht te atmosfera në stadium dhe sjellja e tifozëve shqiptarë, të cilët i përshkruajnë si “huliganë” dhe i akuzojnë për “sulme” ndaj lojtarëve të tyre.
Disa prej titujve më të spikatur janë:
“Terror në Tiranë!”, “Shqiptarët nuk ndalen me skandalet!”, shkruan blic.rs, duke akuzuar se ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të goditjeve me sende të forta ndaj lojtarëve serbë.
Kurir.rs pretendon se “huliganët shqiptarë goditën në kokë lojtarët serbë pesë herë”, ndërsa e përshkruan atmosferën si të “tmerrshme”.
Sportal.blic.rs thekson se Serbia dominoi në posedim dhe kishte një rast të rrezikshëm me Mitrović, por e pranon se heroi i vërtetë i ndeshjes ishte portieri Đorđe Petrović, i cili shpëtoi skuadrën nga humbja.
Sipas tyre, ndeshja u ndërpre të paktën tre herë për shkak të hedhjes së objekteve nga tribuna, ndërsa akuzojnë organizimin dhe gjyqtarin që “nuk ndërpreu ndeshjen plotësisht”.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, ndeshja përfundoi pa incidente të mëdha dhe asnjë lojtar nuk pësoi lëndime serioze.
Kombëtarja shqiptare pati disa mundësi të mira për të marrë tri pikët, përfshirë edhe një penallti të shpëtuar, por në fund u mjaftua me një pikë që mund të jetë vendimtare në garën për kualifikim.