Është testuar me sukses droni i parë kosovar i prodhuar në vend, “SKIFTERI K1”.
Këtë e bëri të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Ridvan Aliu, themeluesi dhe CEO i “Future Minds Academy”, që merret me prodhimin e dronëve.
“Kosova gati të godas nga ajri 1000+ km larg. Testohet SKIFTERI K1 nga njëri prej klientëve tanë me saktësi maksimale”, shkroi ai.
Duke informuar për testimin e kryer, Aliu ka bërë të ditur se “SKIFTERI K1” ka kryer një fluturim prej 7 orësh e 12 minuta, me një distancë prej 1.124 kilometrash dhe kapacitet bartës prej 42 kilogramësh. Detaje të mëtejshme nuk janë bërë të ditur.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në kompaninën e prodhimit të dronëve në muajin nëntor, tha se:
“Tani dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri”.










