Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Washington, ku do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Para nisjes për në SHBA, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë njoftim tutje thuhet se lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompeo dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i ambasadorit Grenell, si i dërguar special, janë inkurajim për vendin tonë.
“Lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompeo dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, janë inkurajim për ne. Jemi të bekuar me miqësinë tonë të përhershme, me raportin tonë special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi presidenti Thaçi.
Ashtu siç bëhet e ditur, presidenti Thaçi në Washington do të ketë prezantime edhe në dy debate për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, një në Brookings Institute dhe tjetrin në Atlantic Council
Presidenti Thaçi do të flasë për të arriturat e deritashme, për prioritetet e Kosovës dhe për sfidat e mundësitë në rrugën e integrimit euroatlantik.










