Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se thirrja e seancës për formimin e Qeverisë është një hap i menduar mirë, dhe të njëjtën kohë edhe obligim nga mandatari Kurti.
Thaçi ka deklaruar se Kurti e kishte obligim pas caktimit të mandatarit nga ana e tij që të thërret seancë për formimin e qeverisë, ai pret që spektri politik të jetë i bashkuar në mënyrë që qeveria të formohet sa më shpejt që është e mundur.
“Unë si president i vendit do të respektojë kornizën e përgjegjësive Kushtetuese, mbetet spektrit politik të bëjë hapat e mëtutjeshëm, edhe iniciativa për mbajtjen e seancës për të hënën është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe mendoj se është një hap i menduar prej mandatari dhe obligim që kur është mandatuar nga ana e ime, prandaj i mbetet spektrit politik që të shohin mundësitë e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që të kemi qeveri sa më shpejt që është e mundur”, tha Thaçi, transmeton Gazeta Metro.
Thaçi ka deklaruar se Kosovës i nevojitet një qeveri stabile dhe efikase e cila bashkëpunon ngushtë me SHBA’të, BE’në dhe NATO’n.
“Kosovës i duhet një qeveri stabile, efektive, efikase e respektit dhe vullnetit qytetar dhe orientimit euroatlantik, pra një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO’n”, tha Thaçi, transmeton Gazeta Metro.
Këto deklarata presidenti Thaçi i bëri pas homazheve me rastin e 23-vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.










