“The Telegraph”: Militantët serbë po luftojnë për Putinin dhe po përgatiten për një luftë të re ballkanike

Një gjeneratë e re e nacionalistëve serbë po përgatitet për konflikt të mundshëm në Bosnjë, paralajmëron gazeta britanike The Telegraph, duke ngritur shqetësime për sigurinë rajonale 30 vjet pas përfundimit të luftës.

Sipas raportimit, qindra militantë serbë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah forcave ruse, të motivuar nga bindja se Rusia do t’i mbështesë në rikthimin e territoreve të humbura, përfshirë Kosovën. Veteranë të luftës së Bosnjës, përmes rrjeteve sociale, po rekrutojnë të rinj serbë, duke ofruar pagesa që arrijnë deri në 23 mijë paund, përcjell GazetaTema.

Autoritetet dhe analistët druajnë se kthimi i këtyre luftëtarëve në Bosnjë mund të nxisë veprimtari paramilitare. Një rast i tillë është Dario Ristiq, nacionalist serb i plagosur në Ukrainë, i cili u kthye në Bosnjë dhe u arrestua për pjesëmarrje në një njësi të huaj paraushtarake. Ai aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak në pritje të gjykimit.

Ristiq ka mbi 10 mijë ndjekës në rrjete sociale dhe konsiderohet rrezik për rekrutim, sipas burimeve të sigurisë. Njësia ku ai shërbeu në Ukrainë është lidhur me veprime propagandistike dhe mesazhe nacionaliste.

Një tjetër figurë me ndikim është Davor Saviçiq, ish-pjesëtar i njësive paramilitare serbe të viteve ’90 dhe ish-anëtar i Grupit Wagner. Raportime të pavarura sugjerojnë se rrjete të lidhura me inteligjencën ruse po ndihmojnë rekrutimin dhe lëvizjen e luftëtarëve përmes kompanive fasadë.

Ligjet në Bosnjë dhe Serbi ndalojnë pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me dënime deri në pesë vjet burg, por zbatimi mbetet i kufizuar. Analistët paralajmërojnë se edhe një numër i vogël individësh të radikalizuar mund të rrezikojë stabilitetin e brishtë në rajon.

Shqetësimet janë shtuar pas raportimeve për lidhje mes figurave nacionaliste serbe dhe autoriteteve politike në Republikën Srpska, si dhe për dyshime se zona mund të përdoret për trajnime të luftës hibride të mbështetura nga Rusia, me implikime më të gjera për sigurinë evropiane./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu