Times Square “vishet” Kuq e Zi për festën e Flamurit Kombëtar (VIDEO)

Mbrëmja e 22 nëntorit 2025 solli një atmosferë të paprecedentë në zemër të New York-ut. Në kuadër të Muajit Shqiptar dhe 113-vjetorit të Pavarësisë, organizata Albanian Roots – nën drejtimin e Marko Kepit, Bujar Gjatës, Bedrana Dukës dhe “Mjeshtres së Madhe” Agjelina Nikës – organizoi paradën e makinave shqiptare në Times Square, shoqëruar me një program kulturor njëorësh.

Dhjetëra automjete të zbukuruara me flamuj shqiptarë dhe amerikanë parakaluan në Broadway dhe Seventh Avenue, ndërsa në qendër të sheshit u hap një flamur gjigand kuq e zi. Valltarë dhe këngëtarë të rinj me veshje tradicionale sollën vallet e Tropojës, Labërisë dhe Çamërisë nën dritat e neonit, duke tërhequr vëmendjen e turistëve dhe qytetarëve që mbushën sheshin me kamera në duar dhe kureshtje për festën “me kaq shumë shpirt”.

Për një orë Times Square u shndërrua në një “Shqipëri të vogël”, ku thirrjet “Albania! Albania!” dhe “USA! USA!” bashkoheshin në një kor të vetëm.

Por nata kulmore e flamurit kuq e zi solli edhe një njoftim historik. Në një billboard gjigand, drejtuesit e Albanian Roots shpallën se New York Yankees do t’i dedikojnë më 19 maj 2026 një ndeshje të tërë komunitetit shqiptaro-amerikan – Dita Zyrtare e Trashëgimisë Shqiptare, e para e këtij lloji në një stadium amerikan të Major League Baseball.

Ngjarja do të sjellë një paradë shqiptare brenda fushës ikonike të Yankee Stadium, ku pjesëmarrësit do të marrin falas kapela dhe bluza “Yankees & Kuq e Zi” (edicion i kufizuar), si dhe akses në një seksion të posaçëm kuq e zi. Biletat do të blihen vetëm përmes linkut zyrtar të Albanian Roots: albanianroots.com/yankees.

“Është momenti të tregojmë sa të mëdhenj jemi kur jemi të bashkuar,” – u shprehën drejtuesit e Rrënjëve Shqiptare, duke ftuar komunitetin të mbushë stadiumin legjendar ku kanë luajtur Babe Ruth dhe Derek Jeter.

Nga Times Square te Yankee Stadium, rruga është hapur. Kjo ngjarje synon të kthehet në një traditë ku çdo shqiptar në Amerikë ndihet më i fortë, më krenar dhe më i bashkuar se kurrë./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu