Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kumanovë, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli u dëgjuan thirrje fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë publike, Spiropali e cilësoi këtë sjellje si “të papranueshme” dhe një kujtesë se shoqëritë demokratike kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për të garantuar gjithëpërfshirje dhe respekt të ndërsjellë.
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunë, konflikt etnik dhe racizëm nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport – i cili në vetvete përfaqëson frymën e bashkëpunimit dhe respektit,” tha Spiropali.
Ajo vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi edhe që zyrtarët më të lartë të këtij shteti mik të mbajnë qëndrime më të qarta dhe më të forta.
“Bashkëjetesa ndëretnike është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe forcuar nga të gjithë faktorët e rajonit – jo me fjalë, por me veprime konkrete dhe shembull personal,” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Spiropali tha se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një modeli bashkëjetese që hedh pas ndasitë e vjetra dhe frymën përjashtuese.