Toshkovski me detaje: Nga cila shpejtësi “Safe City” do të gjobisë në Shkup

Sistemi “Safe City” do të zbatojë të njëjtën tolerancë si radarët ekzistues të policisë. Për shpejtësi deri në 100 km/orë do të lejohet devijim prej 6 km/orë, për shpejtësi mbi 100 km/orë – 8 km/orë, ndërsa për ato mbi 200 km/orë toleranca do të jetë 12 km/orë. Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se rregullat janë në përputhje me praktikën e deritanishme.

Në Shkup, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 50 km/orë, shkelja do të evidentohet për drejtim të mjetit me 57 km/orë e më shumë. Megjithatë, ministri sqaroi se kjo tolerancë nuk do të zbatohet në rastet kur tejkalimi i shpejtësisë përbën vepër penale të ndërlidhur me komunikacionin.

Sa i përket mjeteve zyrtare, Toshkovski theksoi se edhe ato do të përfshihen nga sistemi “Safe City” nëse nuk janë në kuadër të aktiviteteve operative të arsyetuara. Mjetet e Ndihmës së Shpejtë, Zjarrfikësve, MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes nuk do të regjistrohen nga sistemi vetëm kur kryejnë detyra zyrtare, me kusht që kjo të jetë e justifikuar sipas natyrës së veprimtarisë së tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu