Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi me tone shumë të ashpra pas trazirave të dhunshme që shpërthyen të shtunën në Torino gjatë protestës kundër mbylljes së qendrës kulturore të krahut të majtë Askatasuna, ku dhjetëra oficerë policie u plagosën dhe disa persona u arrestuan. Në një deklaratë zyrtare, ajo e cilësoi ngjarjen si “serioze dhe të papranueshme”, duke theksuar se “dëbimi legjitim i një prone të uzurpuar në mënyrë të paligjshme u përdor si pretekst për nxitje të dhunës, zjarrvënie, hedhje fishekzjarresh dhe sulme të organizuara”, përfshirë edhe sulmin ndaj një automjeti të blinduar të policisë.
Meloni nënvizoi se pamjet e oficerit të policisë të sulmuar “flasin vetë” dhe deklaroi prerazi se “këta nuk janë protestues, por individë që veprojnë si armiq të shtetit”. Ajo shprehu solidaritet të plotë me forcat e rendit, gazetarët e sulmuar dhe qytetarët që pësuan dëme, duke theksuar se policia u detyrua të përballej me “luftë të vërtetë guerile urbane”. Sipas kryeministres, “kjo nuk është një mosmarrëveshje apo një protestë: këto janë sulme të dhunshme të drejtuara ndaj shtetit dhe përfaqësuesve të tij” dhe për këtë arsye “duhet të trajtohen ashtu siç janë, pa lëshime dhe pa justifikime”.
Meloni theksoi se qeveria ka forcuar instrumentet për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe i bëri thirrje gjyqësorit të veprojë me vendosmëri, duke paralajmëruar se episodet e “butësisë” së së kaluarës kanë minuar masat legjitime kundër dhunës. “Mbrojtja e ligjshmërisë nuk është provokim, është detyrë”, deklaroi ajo, duke shtuar se shteti “nuk tërhiqet përballë dhunës së revolucionarëve të rremë”.










