Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po vazhdon e të bëhet gati që ai të jetë në krye të procesit të bisedimeve me Serbinë. Hoti pas qëndrimit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, po thotë se ka marrë mbështetje të fuqishme për procesin e dialogut me Serbinë.
“Në kuadër të shpalosjes së kornizës për procesin e dialogut, sot kam takuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga të cilët mora mbështetje të fuqishme për qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces. Po ashtu, kam filluar takimet edhe me partitë politike dhe në bashkëpunim me vendet e Kuintit dhe të gjithë partnerët e tjerë vendas, do të punojmë për arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, tha Hoti.
Sa i përket parimeve të dialogut, kryeministri Hoti, theksoi tri parimet kryesore. Parimi i parë është që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm.
Parimi i dytë është që organizmi kushtetues dhe shtetëror i Kosovës është i panegociueshëm dhe së treti, marrëveshja që do të duhet të arrihet, duhet të jetë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto, siç tha kryeministri, janë tri parimet bazike që do të na udhëheqin në procesin e dialogut.
Më tej, kryeministri Hoti, tha se ajo çfarë synojmë në procesin e dialogut, është njohja reciproke, duke potencuar se nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, e cila nuk siguron njohje reciproke.
“Jo njohje reciproke të përkohshme, të modeleve të dy Gjermanive ose të modeleve të tjera ndërkombëtare siç janë përmendur nëpër tryeza të ndryshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB, menjëherë, dhe na siguron menjëherë gjithashtu njohje nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, u shpreh kryeministri Hoti.
Ndryshe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka deklaruar ditë më parë se ka pasur shkelje të Kushtetutës dhe Kosova ka qenë shumë lojale në bisedimet e mëparshme me Serbinë.










