Trump: 4 orë pas mbarimit të afatit, çdo urë në Iran do të shkatërrohet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar për masa të ashpra ushtarake ndaj Iranit, duke përfshirë shkatërrimin e infrastrukturës së tyre, nëse nuk arrihet një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me kërcënimet ndaj objekteve civile, Trump deklaroi se ShBA ka një plan konkret për të shkatërruar të gjitha urat dhe termocentralet në Iran deri në mesnatën e së mërkurës, vetëm disa orë pas afatit të vendosur për Teheranin, transmeton Klankosova.tv.

“Kemi një plan ku çdo urë në Iran do të shkatërrohet dhe çdo termocentral do të dalë jashtë funksioni deri në orën 12 të natës. Flasim për një shkatërrim të plotë,” u shpreh ai.

Presidenti amerikan shtoi se ky operacion mund të realizohet brenda një periudhe prej katër orësh, por theksoi se SHBA nuk dëshiron që një skenar i tillë të ndodhë.

Sipas raportimeve, Trump i ka dhënë Iranit afat deri në orën 20:00 sipas kohës lindore të SHBA-së të martën për të rihapur plotësisht Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në të kundërtën.

Zhvillimet e fundit vijnë në një klimë të tensionuar në rajon, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu