Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, bëri me dije të premten vonë se Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i ka thënë homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se Uashingtoni nuk do t’u japë më armë grupeve terroriste PKK/PYD.
Deklarata e Mevlut Çavusoglu erdhi pasi Trump dhe Erdogan folën në telefon të premten në lidhje me samitin e fundit në Soçi, krizën siriane dhe marrëdhëniet bilaterale, raporton trt, përcjell Gazeta e Re.
“Z. Trump qartësoi se nuk do të jepen më armë për YPG-në duke shtuar se në thelb ky absurditet duhet të kishte përfunduar më parë”, ka thënë Çavusoglu para gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi me zv/kryeministrin dhe njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal të Republikës Demokratike të Kongos, Leonard She Okitundu.
Pas telefonatës së lartpërmendur, Erdogan postoi në “Twitter” këto fjalë: “Unë realizova sot një bisedë telefonike të frytshme me Presidentin amerikan, Donald Trump.”
Çavusoglu tha se një nga çështjet me më shumë efekt negativ në marrëdhëniet SHBA-Turqi, krahas organizatës terroriste gyleniste (FETO) dhe disa kryefjalëve të tjera, ka të bëjë me armët që Uashingtoni i jep grupit terrorist PKK/PYD.
“Kohët e fundit kemi parë të jepen edhe disa automjete të blinduara. Presidenti ynë i komunikoi z. Trump edhe një tjetër herë shqetësimet tona. Presidenti Trump bëri të qartë se nuk do të jepen më armë për YPG-në duke shtuar se në thelb ky absurditet duhet të kishte përfunduar më parë”, tha shefi i diplomacisë turke.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi më vonë se “në përputhje me politikën tonë të mëparshme, Trump i tha Presidentit Erdogan se SHBA-ja do të bënte rregullime në pritje në lidhje me mbështetjen ushtarake dhënë për partnerët tanë në terren në Siri”.
Megjithatë ajo nuk përcaktoi se cilave partnerë po u referohej.