Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje anëtarëve të ushtrisë dhe policisë iraniane si dhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që t’i ulin poshtë armët, duke u premtuar “imunitet të plotë” nëse e braktisin udhëheqjen klerikale të shtetit.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa shqetësimet sa shkojnë e rriten që lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit po përhapet në gjithë Lindjen e Mesme, dhe nuk po prek vetëm aleatët arabë të Uashingtonit, por edhe vendet tjera që nuk janë pjesë e Gjirit, sikurse Azerbajxhani, Turqia, Qiproja dhe madje Shri Lanka, rreth 3.900 kilometra larg.
Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë më 5 mars, u ka bërë thirrje forcave të sigurisë që të rreshtohen me popullin iranian dhe të ndihmojnë në rrëzimin e Qeverisë që e ka udhëhequr shtetin prej Revolucionit Islamik të vitit 1989.
“U bëj thirrje edhe një herë të gjithë anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, ushtrisë dhe policisë që t’i ulin armët. Tani është koha të rreshtoheni me popullin iranian dhe të ndihmoni në kthimin e shtetit tuaj”, ka thënë Trump.
Ai u bëri thirrje edhe diplomatëve iranianë që janë nëpër vende të ndryshme që të kërkojnë azil dhe të ndihmojnë në formësimin e të ardhmes së Iranit.
“U bëjmë thirrje diplomatëve iranianë nëpër botë që të kërkojnë azil dhe të ndihmojnë në krijimin e një Irani të ri dhe më të mirë, me potencial të madh”.
Më vonë, në një intervistë për transmetuesin NBC News, Trump ka thënë se nuk po e shqyrton angazhimin e trupave amerikane tokësore në Iran.
“Është humbje kohe. Ata kanë humbur gjithçka. E kanë humbur marinën. Kanë humbur gjithcka që mund të humbnin”, ka thënë ai për NBC News në një thirrje telefonike, duke shtuar se komenti i ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi se Irani është gati nëse do të ketë ndonjë pushtim tokësor është “koment shterpë”.










