Presidenti amerikan Donald Trump në një fjalim drejtuar kombit deklaroi se objektivat ushtarake të SHBA-së në Iran janë “afër përmbushjes së plotë”, duke paralajmëruar goditje të reja të rënda.
Trump mbrojti angazhimin ushtarak, duke theksuar se forcat amerikane kanë arritur “fitore të shpejta, vendimtare dhe bindëse” në terren. Sipas tij, marina dhe forcat ajrore iraniane janë shkatërruar, ndërsa arsenali raketor i Teheranit është “pothuajse i shteruar ose i paaftësuar”.
Ai paralajmëroi se Irani do të përballet me goditje të forta në dy deri në tre javët e ardhshme. “Do t’i kthejmë në kohën e gurit, aty ku u takon”, u shpreh Trump, duke shtuar se nëse nuk arrihet marrëveshje përmes kanaleve diplomatike, SHBA mund të godasë edhe centralet energjetike iraniane.
Presidenti amerikan e arsyetoi këtë qasje me programin bërthamor të Iranit, duke theksuar se nuk do të lejojë kurrë që Teherani të sigurojë armë bërthamore.
Në fjalimin e tij, Trump u bëri thirrje edhe vendeve që importojnë naftë përmes Ngushticës së Hormuzit të marrin përgjegjësi për sigurinë e kësaj rruge strategjike detare.
Ndërkohë, ai nuk përmendi NATO, pas kritikave të mëparshme ndaj aleancës dhe paralajmërimeve për tërheqje të mundshme.
Situata ka rritur presionin e brendshëm politik në SHBA, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe karburanteve. Analistët vërejnë mungesë të një strategjie të qartë, ndërsa Irani vazhdon t’i kundërshtojë pretendimet amerikane për sukses në terren.










