Trump kërcënon se do shkatërrojë Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Iranin me bombardime të ashpra dhe të rrufeshme së bashku me Izraelin, nëse Teherani rindërton programin bërthamor dhe atë raketor.

“Po dëgjoj që Irani po përpiqet t’i ndërtojë sërish dhe nëse është kështu, do t’i shkatërrojmë menjëherë, plotësisht”.

Trump priti kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, ku ka zhvendosur kohët e fundit të gjitha takimet e rëndësishme që dikur i zhvillonte në rezidencën zyrtare presidenciale, Shtëpinë e Bardhë. Dy liderët folën edhe për fazën e dytë të planit të paqes në Rripin e Gazës, rindërtimin.

“Folëm për çarmatosjen e Hamasit. I është dhënë një kohë shumë e shkurtër, ta shohim si do të shkojë, por nëse nuk bëjnë siç është rënë dakord, ferri do të derdhet mbi ta”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se me Izraelin nuk është 100% dakord për territorin tjetër palestinez të Bregut Perëndimor, pa specifikuar për çfarë. Megjithatë, kryeministri izraelit është më i kënaqur se kurrë me Uashingtonin, ndaj premtoi se do t’i japë Trumpit një çmim të madh.

“Vendosëm të thyejmë një traditë ose të vendosim një të re, duke i dhënë presidentit Trump këtë vit Çmimin e Izraelit, që nuk u është dhënë kurrë jo-izraelitëve”.

Ndërkohë, kreu i parlamentit iranian iu kundërpërgjigj Trumpit, duke deklaruar se Irani do të vetëmbrohet me veprime që mund të jenë të paparashikuara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu