Trump: Me Korenë e Veriut, diplomacia është e kotë

“Me Korenë e Veriut, diplomacia është e kotë”, shkruan Donald Trump në Twitter pas testit të gjashtë e më të fuqishëm bërthamor të vendit komunist.

“Fjalët dhe veprat e këtij vendi të papërgjegjshëm vazhdojnë të jenë armiqësorë dhe tejet të rrezikshme për SHBA-në. Peniani, thotë Trump, është kthyer në një kërcënim madhor dhe në një telash për Kinën, që po përpiqet të ndihmojë, por pa ndonjë sukses real.

Pekini, Seuli, Tokio e Moska e kritikuan ashpër provën e radhës së vendit komunist, e cila shkaktoi një termet prej 6,3 ballësh, të pasuar dhe nga një lëkundje e dytë, e një intensiteti me të ulet.

Ministria e Jashtme ruse u shpreh thellësisht e shqetësuar nga episodi i konsideruar prej saj si një tjetër shembull i shpërfilljes që tregon Peniani ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutave të tij.

Por Rusia sërish i meshon nevojës për rikthimin në rrugën e dialogut dhe negociatave, pikërisht ajo që në këtë pike nuk e bind me shefin e Shtëpisë së Bardhë. Paralajmërime ndaj Koresë se Veriut janë dhënë plot, por të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër.

“Eventi këtë herë ka qenë shumë më i madh se ato që kemi parë deri tani dhe mund të jetë tregues i faktit që ata po e avancojnë programin e tyre të armeve bërthamore”, deklaron Lassina Zerbo, sekretar i përgjithshëm i CTBTO, Organizata e Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore.

Trump u takua me ekipin e sigurisë për të diskutuar mbi Korenë e Veriut, e nga sa pohoi sekretari i Thesarit Steve Mnuchin në një intervistë për “Fox News”, është në shqyrtim një paketë e re sanksionesh ekonomike ndaj vendit problematik.

Peniani njoftoi më herët se kishte kryer testin e tij të gjashtë atomik gjatë të cilit është përdorur një bombë me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë balistike ndërkontinentale.

“Termeti artificial” i krijuar nga kjo provë ishte 9.8 herë më i fuqishëm se ai i shkaktuar prej testit të pestë bërthamor të Penianit. Nuk vonoi shumë pas lajmit që Presidenti i Koresë së Jugut të mblidhte me urgjencë Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare.

Administrata kineze e tërmeteve e përshkroi lëkundjen e tokës në Korenë e Veriut si “shpërthim të dyshuar”, e sqaroi se kishte regjistruar edhe një lëvizje të dytë pas të parës me magnitudë 4,6 ballë.

Prova e fundit nukleare e vendit komunist ishte shtatorin e 2016-tës dhe sfidoi hapur si sanksionet e OKB-së, ashtu edhe presionin ndërkombëtar për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor dhe testimit të raketave që mund të mbërrijnë deri në tokën amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu