Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se SHBA-të do të vazhdojnë sulmet kundër Iranit, duke dërguar një paralajmërim për të “vëzhguar se çfarë u ndodh këtyre horrave të çmendur”.
Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se SHBA-të po e fitojnë luftën dhe se burimet ushtarake të Iranit janë zvogëluar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.
Ai e përsëriti edhe një herë këtë deklaratë në një postim në Truth Social në të cilin tha se ishte “një nder i madh” t’i “vriste ata”, duke iu referuar anëtarëve të regjimit iranian.
Presidenti amerikan sulmoi gjithashtu gazetën The New York Times dhe pretendoi se ushtria amerikane ka “fuqi zjarri të pakrahasueshme, municione të pakufizuara dhe kohë të bollshme”.
“Ne po e shkatërrojmë plotësisht regjimin terrorist të Iranit, ushtarakisht, ekonomikisht, megjithatë, nëse lexoni “New York Times”-in e dështuar, do të mendonit gabimisht se nuk po fitojmë. Marina e Iranit është zhdukur, Forca e tyre Ajrore nuk ekziston më, raketat, dronët dhe gjithçka tjetër po shkatërrohen dhe udhëheqësit e tyre janë fshirë nga faqja e dheut. Ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe shumë kohë. Shikoni çfarë u ndodh këtyre qelbësve të çmendur sot. Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vjet dhe tani unë, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bëjmë këtë!”, ka shkruar Trump në Truth Social.










