Trump: Mbreti Salman më siguroi se nuk ka qenë në dijeni për rastin Khashoggit

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump deklaroi se mbreti saudit Salman bin Abdulaziz e ka siguruar se nuk ka qenë në dijeni për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazetari i të përditshmes “Amerikan Wall Street Journal“ pyeti Trumpin në Shtëpinë e Bardhë nëse vallë, në vrasjen e gazetarit është i përfshirë trashëgimtari i parë i fronit të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për çka Trump tha se me punët qeveritare në Rijad më së shumti merren princët dhe nëse ka ndonjë përfshirje nga kreu, atëherë kjo kryesisht bëhet nga ndonjë princ.

“Disa herë kam biseduar me princin Muhammed, të cilin e pyeta nëse ka ditur për vrasjen. Pohon se nuk ka qenë në dijeni. E pyeta se kush është përgjegjës ndërsa ai thotë se njerëzit në instanca më të ulëta. Vërtetë dëshiroj t’i besoj dhe shpresoj të mos ketë ditur”, tha Trump.

Trump e quajti vrasjen e gazetarit Khashoggi një veprim që nuk guxon të përsëritet, për të shtuar se përpjekja e fshehjes së vrasjes ishte një nga më të këqijat në historinë e fshehjes së krimeve.

Autoritetet e SHBA-ve njoftuan mbrëmë se do të heqin vizat për 21 zyrtarë të Arabisë Saudite nën dyshimin se kanë lidhje me vrasjen e Khashoggit.

Khashoggi për herë të fundit u pa më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur gazetari ishte ende brenda, kanë njoftuar burime të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim të enjten, pasi kreu ekzaminime në rezidencën e konsullit dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu