Trump nënshkruan ligjin për Tajvanin, duke shkaktuar zemërimin e Kinës

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi dje Ligjin e Sigurimit të Tajvanit, i cili ishte pjesë e kostos më të gjerë të shpenzimeve të qeverisë federale prej 1,4 trilionë dollarë për vitin fiskal të 2021. Pas disa ditësh ngecje, projekt-ligji u nënshkrua bashkërisht me paketën stimuluese kundër koronavirusit të ri (COVID-19) që përfshin ndihmë prej 900 miliardë dollarësh.

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së miratoi unanimisht Ligjin e Sigurimit të Tajvanit në maj të vitit 2019 kur i njëjti u shtua në projekt-ligjin e shpenzimeve të atij viti fiskal që duhej të shqyrtohej nga Senati. Ligji synon të forcojë lidhjet dypalëshe midis dy vendeve dhe inkurajon Tajvanin të rrisë shpenzimet e tij të mbrojtjes.

Duke kritikuar ligjin, Kina e quajti veprimin amerikan një “ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës“. “Kina e kundërshton vendosmërisht Ligjin amerikan të Sigurimit të Tajvanit dhe SHBA duhet të ndërpresë me ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës duke përdorur çështjen e Tajvanit“, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, në një konferencë për media në Pekin, sipas të përditshmes Global Times.

Që kur ligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve, administrata e presidentit Trump ka miratuar 8 shitje armësh në Tajvan, të cilat përfshijnë raketa lundrimi kundër anijeve dhe dronë. Ligji përfshin gjithashtu mbështetjen e Washington-it zyrtar për pjesëmarrjen e plotë të Tajvanit në OKB dhe organizata të tjera dhe siguron 3 milionë dollarë për aktivitetet e Kornizës Globale të Bashkëpunimit dhe Trajnimit SHBA-Tajvan.

Kina pretendon se Tajvani është një “provincë e shkëputur“, ndërsa Taipei ka insistuar në pavarësinë e tij që nga viti 1949. Të paktën 16 vende e njohin atë si të tillë dhe kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Taipein. Përderisa SHBA ka shprehur mbështetje të hapur për Tajvanin duke shitur armë të teknologjisë së lartë në Taipei, Kina ka rritur operacionet e saj ushtarake në rajon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu