Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se një numër i konsiderueshëm forcash ushtarake amerikane janë duke u dërguar në drejtim të Iranit, por shtoi se ai dëshiron që situata të mos eskalojë në një konflikt të plotë.
Ai e bëri këtë deklaratë për gazetarët në avionin presidencial Air Force One, ndërkohë që po kthehej nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
Trump gjithashtu konfirmoi se janë dërguar disa elemente të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë një grup luftarësh nën komandën e një aeroplanmbajtëseje dhe anije të tjera ushtarake, raporton reuters.
“Kemi shumë anije që shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Kemi një flotë të madhe që shkon drejt Iranit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi ai.
Lideri amerikan shtoi se lufta nuk është zgjedhja e tij e parë dhe do të preferonte që të mos ndodhte asgjë e tillë, duke thënë se “do të doja që të mos ndodhte asgjë, por ne i ndjekim shumë me kujdes”.
Sipas 79-vjeçarit, dërgimi i forcave është një masë paralajmëruese dhe shërben edhe si demonstrim force, por ai nuk dëshiron të përdorë ushtrinë në konflikt, përveç nëse situata bëhet e domosdoshme, transmeton Sinjali.
Ndryshe, Trump kishte kërcënuar vazhdimisht të ndërhynte kundër Iranit për shkak të vrasjeve të fundit të protestuesve atje, por protestat u pakësuan javën e kaluar dhe “retorika e Trump në lidhje me Iranin është zbutur”.










