I ftuar në Euronews Albania, në emisionin Now me Erla Mëhillin, eksperti Dritan Goxhaj tha se çdo lloj sulmi që SHBA duan të nisin drejt Iranit, bashkë me aleatët e vet dhe me gjithë NATO-n, do të ishte i kufizuar.
Sipas tij, mundësia për sulm me trupa nga SHBA-të ndaj Iranit është e pamundur, sepse janë në kufizim të veprimtarisë ushtarake. Ai theksoi se SHBA-të kanë nisur drejt Detit Arab dhe Detit të Kuq dy grupe të goditjes detare, të cilat sipas tij do të mbërrijnë javën që vjen.
“Automatikisht janë zgjedhur pika të caktuara, komanda qendrore, grumbullime të forcave të Gardës Islamike, të policisë, godina qeveritare, uzina dhe fabrika të nevojës ushtarake. Pra, këto gjëra mund të jenë, por gjithçka është e limituar, sepse SHBA-të nuk e kanë kapacitetin ta bëjnë masivisht atë. Atë që duhet të bëjnë, ata e bëjnë nëpërmjet asaj që quhet grupet e goditjes detare, ku një grup përfshin një aeroplanmbajtëse, dy destrojerë, një luftanije dhe dy nëndetëse, dhe kapaciteti i tyre për të mbajtur të gjitha këto së bashku mund të shkojë rreth 70 Tomahawk.
Aktualisht, SHBA-të kanë nisur drejt Detit Arab dhe Detit të Kuq dy grupe të tilla, që duhet të mbërrijnë nga java që vjen. Dhe të gjitha këto bashkë bëjnë rreth 160 raketa dhe kaq është kapaciteti për të sulmuar. SHBA në rajonin e Gjirit Persik kanë shtatë baza të rëndësishme. Dy prej tyre janë bazat logjistike më të mëdha, me gjithë forcën e tyre ushtarake që kanë në Lindjen e Mesme dhe për Afrikën. Për këto shtatë baza ata kanë lëshuar një urdhër, ku i gjithë personeli jo i domosdoshëm duhet të lëshojë bazat.
Po përgatiten për një sulm dhe për një kundërsulm nga Iranit. Ata presin sigurisht që Irani t’u kundërpërgjigjet, dhe do t’u kundërpërgjigjet në të njëjtën masë me raketa, sepse nuk ka si të kundërpërgjigjet ndryshe. Ajo që Irani do të mundohet të godasë janë këto baza që janë statike, ndoshta mund të godasë edhe anijet në det”, u shpreh Goxhaj.










