Trump: Pas Iranit, radhën e ka Kuba

Në një intervistë ekskluzive për “Politico”, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpalosur vizionin e tij për hapat e radhës në politikën e jashtme, duke u fokusuar te rënia e mundshme e qeverisë në Kubë dhe rindërtimi politik i Iranit pas konfliktit ushtarak.

Trump deklaroi se pas Iranit, radhën e ka regjimi i Kubës. Ai bëri të ditur se SHBA-ja ka ndërprerë të gjitha flukset e naftës dhe financave që vinin nga Venezuela, duke e lënë ishullin pa burimin e tij kryesor të mbijetesës.

“Kuba do të bjerë. Ata tani duan të arrijnë marrëveshje sepse situata po rëndëhet pas kapjes së liderit venedikas, Nicolás Maduro,” tha Trump, duke lavdëruar njëkohësisht bashkëpunimin aktual me Venezuelën nën udhëheqjen e Delcy Rodríguez.

Sa i përket operacioneve kundër Iranit, Trump u shpreh i bindur se fuqia ushtarake iraniane është praktikisht e asgjësuar. Ai theksoi se SHBA-ja do të ketë një rol kyç në zgjedhjen e liderit të ri iranian për të siguruar që vendi të mos zotërojë armë bërthamore.

“Do të kemi ndikim të madh në zgjedhjen e udhëheqjes së re, ose nuk do të ketë marrëveshje fare,” deklaroi ai, duke hedhur poshtë shqetësimet për rritjen e çmimeve të karburantit apo mungesën e rezervave të armatimit.

Në rrafshin diplomatik, Trump përsëriti pakënaqësinë ndaj Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke i bërë thirrje që të lëvizë drejt një marrëveshjeje me Rusinë, për të cilën ai beson se Vladimir Putin është i gatshëm.

Në fund, Trump konfirmoi ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë e inteligjencës artificiale “Anthropic”, pasi kjo e fundit refuzoi t’i jepte Pentagonit qasje të pakufizuar në teknologjinë e saj. “I shkarkova sepse nuk guxonin të vepronin ashtu,” përfundoi Presidenti amerikan, duke lëvduar performancën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu