Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se do të bëjë një telefonatë për të ndaluar tensionet midis Tajlandës dhe Kamboxhias.
Trump në muajin korrik ndërmjetësoi një armëpushim që përfundoi konfliktet midis këtyre dy vendeve, të cilat tani janë intensifikuar sërish.
Nga Tajlanda kanë bërë me dije se nuk shohin potencial për negociata dhe se situata nuk është e përshtatshme për ndërmjetësim nga një palë e tretë, ndërsa nga Kamboxhia është njoftuar se janë të gatshëm për bisedime në çdo kohë.
Duke folur në një tubim në Pensilvani, Trump përmendi një sërë luftërash të cilat pretendon se ka ndihmuar për t’i ndalur, duke përfshirë luftërat midis Pakistanit dhe Indisë, si dhe midis Izraelit dhe Iranit.
“Urrej ta them, por kjo, e quajtur Kamboxhia-Tajlandë, filloi sot, dhe nesër do të duhet të telefonoj. Kush tjetër mund të thotë se do të telefonojë dhe do të ndalojë luftën midis dy vendeve shumë të fuqishme, Tajlandës dhe Kamboxhias?”, tha lideri amerikan.
Konflikti midis Tajlandës dhe Kamboxhias, i cili u ndërpre me armëpushim në korrik të këtij viti, është intensifikuar sërish. Ai është rindezur pasi Tajlanda akuzoi ushtrinë e Kamboxhias për grumbullim të trupave, përfshirë tanke, dhe përdorim dronësh pranë kufirit, si dhe janë ndërmarrë sulme ajrore në zonat kufitare.
Nga Kamboxhia mohojnë këto akuza, si dhe atë që ushtria e tyre ka vrarë një ushtar tajlandez pranë Chong Kan Maa, në provincën Si Sa Ket.










