Trump tallet dhe kërcënon kryeministrin e Groenlandës: As nuk e di kush është, por do ketë probleme

Donald Trump shprehu mospajtimin e tij me atë që u tha dje nga Kryeministri i Groenlandës, i cili e bëri të qartë se ishulli zgjedh Danimarkën në vend të Shteteve të Bashkuara, në deklaratat që bëri për gazetarët të hënën. Kur u pyet për qëndrimin e tij, presidenti amerikan tha: “Nuk pajtohem me të. Nuk e di kush është, nuk di asgjë për të, por kjo do të jetë një problem i madh për të”.

Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të jenë sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me J.D. Vance dhe Marco Rubio, me qëllim qetësimin e krizës në lidhje me ishullin Arktik, një rajon autonom që i përket Danimarkës dhe të cilin Trump dëshiron ta vërë nën kontrollin e SHBA-së.

Cili mund të jetë qëllimi i vërtetë i Trump për Groenlandën?

Sipas Politico, qëllimi i vërtetë i Trump mund të mos lidhet me çështjet e sigurisë apo burimet natyrore të Groenlandës, siç është argumentuar herë pas here. Publikimi thekson se, nëse interesi lidhej me mineralet e ishullit, Danimarka i kishte ofruar për vite me radhë Shteteve të Bashkuara mundësinë e investimit në Groenlandë, një ofertë që Uashingtoni nuk e pranoi.

Në mënyrë të ngjashme, nëse motivi kryesor ishte kufizimi i ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Arktik, zgjidhja mund të ishte më e thjeshtë: Shtetet e Bashkuara mund të forconin zyrtarisht praninë e tyre ushtarake në ishull, me pëlqimin e Kopenhagenit, pa ngritur çështjen e sovranitetit.

Megjithatë, në Bruksel, një interpretim i ndryshëm, më personal në natyrë, po fiton terren. Siç përmbledh një diplomat evropian, Donald Trump dëshiron të hyjë në histori si njeriu që e bëri Amerikën “më të madhe”, madje edhe në terma gjeografikë, duke i dhënë debatit për Groenlandën një karakter të fortë simbolik dhe politik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu