The New York Times, Reuters dhe kanali izraelit Channel 12 raportojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Pakistanit, i kanë dorëzuar Iranit një plan prej 15 pikash. Pakistani ka ofruar më parë të jetë mikpritës i bisedimeve të paqes mes palëve ndërluftuese. Mediat u referohen burimeve anonime, transmeton INA.
Channel 12 thekson se SHBA thuhet se kërkon, ndër të tjera, që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe të jetë një zonë e lirë detare. Iranit i ofrohet heqja e sanksioneve. Sipas mediave, plani është i strukturuar ngjashëm me planet që SHBA ka aplikuar në Gazë dhe Liban.
15 Pikat e Planit të Propozuar:
Sipas Channel 12, pikat që përbëjnë këtë plan janë:
1.Çmontimi i kapaciteteve bërthamore: Irani do të çmontonte kapacitetet e tij bërthamore.
2.Ndalimi i armëve bërthamore: Irani do të zotohej se nuk do të zhvillojë armë bërthamore.
3.Ndalimi i pasurimit: Irani nuk do të pasuronte më material bërthamor.
4.Dorëzimi i materialeve: I gjithë materiali i pasuruar do të dorëzohej sipas një orari të përcaktuar nga SHBA, Izraeli dhe Irani.
5.Mbyllja e objekteve: Impiantet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow do të mbylleshin.
6.Mbikëqyrja ndërkombëtare: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të kishte akses në të gjitha informacionet mbi programin iranian.
7.Fundi i grupeve proksi: Irani do të hiqte dorë nga modeli i veprimit përmes grupeve të tij aleate (proxy).
8.Ndalimi i financimit: Irani do të ndalonte financimin dhe armatosjen e grupeve të tilla në rajon.
9.Ngushtica e Hormuzit: Ngushtica do të mbetej e hapur si një zonë e lirë lundrimi.
10.Kufizimi i raketave: Irani do të kufizonte numrin dhe rrezen e veprimit të raketave të tij.
11.Vetëm për vetëmbrojtje: Përdorimi i mëtejshëm i raketave do të lejohej ekskluzivisht për vetëmbrojtje.
12.Heqja e sanksioneve: Të gjitha sanksionet ndaj Iranit do të hiqeshin.
13.Ndihmë për energjinë civile: Irani do të merrte ndihmë në zhvillimin e programit bërthamor civil në Bushehr.
14.Garancia kundër sanksioneve: Do të hiqej kërcënimi i rivendosjes së sanksioneve.
15.Bashkëpunimi për energjinë: SHBA dhe Izraeli do të ndihmonin Iranin në zhvillimin e programit bërthamor civil në Bushehr për prodhimin e energjisë elektrike.










