Parlamenti turk ka miratuar një mocion për zgjatjen e vendosjes së trupave në Libi për 18 muaj të tjerë. Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) mbështetën mocionin, ndërsa partia më e madhe opozitare, ajo Popullore Republikane (CHP), si dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP) dhe Partia e Mirë (IYI) votuan kundër mocionit.
“Ka kërcënime nga Libia ndaj Turqisë dhe gjithë rajonit dhe nëse sulmet rinisin përsëri, interesat e Turqisë në pellgun e Mesdheut dhe Afrikën e Veriut do të preken negativisht“, thotë mocioni.
Mocioni thekson se paqja e përhershme, armëpushimi për të cilën u ra dakord në muajin tetor dhe dialogu politik në Libi ka një rëndësi të madhe për Turqinë. “Turqia në kuadër të Memorandumit për Siguri dhe Bashkëpunim Ushtarak të nënshkruar me Libinë, do të vazhdojë të kontribuojë në trajnimin dhe mbështetjen e këshillimit për Libinë“, tha mocioni.
Propozimi u paraqit nga presidenca javën e kaluar, në dritën e një kërkese nga qeveria libiane, e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), për ndihmë ushtarake. Më 27 nëntor, Ankara dhe Tripoli nënshkruan një pakt mbi bashkëpunimin ushtarak, si dhe një marrëveshje mbi kufijtë detarë në Mesdheun Lindor.
Që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa tjetra në Tripoli e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare. Turqia në muajin janar dërgoi trupat e saj në Libi me një mandat 1-vjeçar.









