Turqia, përmes Autoritetit Rregullator të Tregut të Energjisë (EMRA), filloi sot eksportet e energjisë elektrike në Irak përmes linjës së transmetimit Silopi-Zakho. EMRA hapi aplikacionet e eksportit të energjisë elektrike në Irak muajin e kaluar, që rezultoi në një ndryshim në licencën e furnizimit me energji elektrike të kompanisë “Aksa Aksen Enerji Ticareti AS” për të përfshirë furnizimet në tregjet e tjera, pra në Irak, përpos furnizimit në tregun e brendshëm turk.
Bazuar në licencën e ndryshuar, eksportet prej 150 megavat (MW) në Irak filluan sot dhe do të zgjasin deri më 1 nëntor 2021. “Turqia, dikur një vend importues i energjisë elektrike, tani po eksporton energji te fqinjët e saj“, tha kreu i EMRA-s Mustafa Yilmaz.
“Sistemi elektrik i Turqisë ka kapacitet të mjaftueshëm për të eksportuar energji në vendet fqinje. Tregtia jonë e energjisë elektrike ndërkufitare vazhdon të rritet dhe mendoj se ky vëllim do të rritet më tej në vitin 2021“, tha Yilmaz.
Iraku tani do të bëhet vendi i katërt i eksportit të energjisë elektrike nga Turqia. Vitin e kaluar, Turqia eksportoi 2,8 miliardë kWh energji elektrike në Bullgari, Greqi dhe Gjeorgji.
Kapaciteti aktual i instaluar i energjisë elektrike në Turqi arriti 95.000 MW këtë vit, nga i cili më shumë se gjysma u krijua nga burimet e ripërtëritshme i cili arrin në 49.000 MW, duke përfshirë edhe rreth 4.700 MW që u shtuan këtë vit. Gazi natyror, gazi i lëngshëm natyror dhe nafta përbën 25.700 MW të kapacitetit të instaluar në Turqi ndërsa fuqia totale e qymyrit përbën 20.300 MW.









