Turqia i bën thirrje SHBA për vetëpërmbajtje dhe qetësim të situatës

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë njoftoi se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e brendshme në SHBA pas zgjedhjeve presidenciale, që shkuan deri në përpjekjen për të bastisur ndërtesën e Kongresit nga protestuesit sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Po i ndjekim me shqetësim zhvillimet e brendshme pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, që shkuan deri në përpjekjen për të bastisur ndërtesën e Kongresit nga demonstruesit sot. I ftojmë të gjitha palët në SHBA për përmbajtje dhe arsye të shëndoshë. Ne besojmë se SHBA-ja do ta kapërcejë këtë krizë të brendshme politike me pjekuri“, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria rekomandoi shtetasit turq në SHBA të qëndrojnë larg ambienteve të frekuentuara dhe vendet ku mbahen protesta.

Kryeparlamentari turk: I ftojmë palët në SHBA ta ruajnë qetësinë.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, tha se po i ndjekin me shqetësim ngjarjet në SHBA, duke u bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

Po u ndjekim me shqetësim ngjarjet në SHBA. Para së gjithash, i ftojmë palët të ruajnë qetësinë. Besojmë se problemet gjithmonë zgjidhen në kuadër të ligjit dhe demokracisë. Turqia gjithnjë ka qenë në anën e ligjit dhe demokracisë. Këtë ua rekomandojmë të gjithëve”, tha kryeparlamentari turk në një deklaratë në median sociale.
Ndryshe, një grup protestuesish të mbledhur në Washington në mbështetje të presidentit në largim Donald Trump, kaluan barrikadën policore për t’u futur brenda ndërtesës së Kongresit, teksa po vazhdonte seanca ku pritej të numëroheshin votat e Kolegjit Zgjedhor dhe të zyrtarizohej rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Seanca e Kongresit u ndërpre si pasojë e incidenteve, në kohën kur po shqyrtoheshin kundërshtimet mbi rezultatin zgjedhor në Arizona.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu