Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij i jep një rëndësi të veçantë marrëdhënieve të saj me vendet anëtare të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). “Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë marrëdhënieve tona me organizatën ASEAN në kuadër të strukturës së iniciativës ‘Asia Anew’ “, u tha Çavuşoğlu ambasadorëve të vendeve anëtare të organizatës ASEAN në kryeqytetin Ankara.
Duke theksuar se Turqia nisi iniciativën ‘Asia Anew’ në vitin 2019, Çavuşoğlu tha se vendi synon të përmirësojë lidhjet me vendet aziatike në zona të ndryshme.
“Samitet ASEAN dhe takimet e kryediplomatëve janë ndër mbledhjet më të rëndësishme politike ndërkombëtare që bashkojnë më shumë se 30 vende në formate të ndryshme, veçanërisht Bashkimin Evropian (BE), SHBA-të, Kinën, Rusinë e Japoninë“, tha Çavuşoğlu.
Duke theksuar se tetë nga vendet anëtare të ASEAN-it kanë ambasada në Turqi, ai tha se ambasadat kontribuojnë jashtëzakonisht në marrëdhëniet e ndërsjella dhe vëllimin e tregtisë. Ai njoftoi se vëllimi i tregtisë me vendet ku Turqia ka hapur ambasada u rrit për 27 për qind.
Më tej, kryediplomati turk tha se ai do të vlerësojë të gjitha zhvillimet e fundit me ambasadorët, duke shtuar se ata po ashtu do të diskutojnë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe marrëdhëniet midis të gjitha vendeve anëtarë të ASEAN-it.
Lidhur me Partneritetin e Dialogut Sektorial, Çavuşoğlu tha se ajo iniciativë lejon thellimin e bashkëpunimit me ASEAN-in në shumë fusha, përfshirë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, partneritetin publiko-privat, burimet e ripërtëritshme të energjisë, zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në arsim, kulturë, turizëm, tregti dhe investime.
Marrëdhëniet e Turqisë me ASEAN-in, sipas kryediplomatit turk janë shumë të frytshme. Ai tha se ata janë duke punuar në projekte të mëtejshme bashkëpunimi. Ai po ashtu kujtoi se Konferenca e Shoqatave të Gurëve të Çmuar dhe Bizhuterive e organizuar nga ASEAN-i u mbajt për herë të parë në Stamboll në vitin 2019.
Çavuşoğlu tha se biznesmenët turq kanë një interes të madh në vendet anëtare të ASEAN-it, të cilat sipas kryediplomatit turk nuk janë vetëm aktive në ekonomi, por janë aktive edhe në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe ndërmjetësimit. Ai po ashtu theksoi se Turqia mbështet përpjekjet e organizatës për paqen në shtetin Rakhinë të Mianmarit. Çavuşoğlu falënderoi të gjithë ambasadorët që morën pjesë në takimin e mbyllur për mediat.









