Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi akuzohet se nëpërmjet platformave online u premtonte karta të klonuara bankare, në këmbim të vlerave monetare
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar, se për një periudhë 1-vjeçare, janë mashtruar ne platforma online rreth 100 shtetas te ndryshëm në shtetin Shqiptar dhe të vendeve të BE-së, duke ju reklamuar se do ju shisnin karta bankare të klonuara, kundrejt vlerave monetare, të cilat kryheshin me keste. Shumat e përfituara nga autorët nga kjo veprimtari, arrijnë shifrën e 60 mijë eurove”, informoi sot policia e Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi E. M., 23-vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit E. F., 22-vjeç, E. N., 22-vjeç, dhe R. M., 22-vjeç, të tre banues në Tiranë.
Operacioni policor i koduar “X-Card” u finalizua pas një hetimi disamujor.
Hetimet kishin nisur pas informacioneve të marra se disa shtetas, reklamonin dhe premtonin se do shisnin në platforma online, karta bankare të klonuara.