(Koment i gazetarit Adriatik Kelmendi nga Kosova, që aq shumë përputhet edhe me realitetin aktual në Maqedoni)
NË LUFTË UÇK-ja e ka mbrojtur Kosovën, kurse sot në liri UÇK-ja duhet ta mbrojë Kosovën nga UÇK-ashët e rremë. Një veteran i UÇK-së meriton jo vetëm 170 euro – 1.700 euro edhe janë asgjë për t’ua kthyer sadopak mirënjohjen e shoqërisë për sakrificën. E një i shtirur si veteran i UÇK-së, jo vetëm që s’meriton asnjë cent, por do të duhej të meritonte pështirosjen. Këta mashtrues, në vend se të shpërbleheshin, do të duhej të penalizoheshin. Të tillët dy herë dëshirojnë ta dëmtojnë Kosovën – një herë ngase nuk u kanë dalë në krah luftëtarëve në kohën e luftës për liri dhe, tash, për shkak se po synojnë të përfitojnë pa skrupuj në kurriz të po të njëjtëve luftëtarë të cilëve nuk iu ndihmuan. Po e nënvizoj edhe një herë, saktë, bardh e zi, në mënyrë që askush të mos mundet ta shtrembërojë qëllimisht: Veterani i UÇK-së meriton mirënjohjen më të lartë të shtetit dhe shoqërisë, mashtruesi i UÇK-së meriton vetëm përbuzjen dhe ndëshkimin. Listat e veteranëve duhet të pastrohen. Pavarësisht përcaktimeve partiake e politike, kryeministri Mustafa duhet të përkrahet që të mos lëshojë pe nga ky qëndrim. Për të mirën e vetë veteranëve, për dinjitetin e UÇK-së, për të ardhmen e shtetit. (“Për UÇK-në, kundër ‘UÇK’-së” në KD nesër).










