Usain Bolt nis testin zyrtar me skuadrën e Borussia Dortmund

Më në fund, dita e madhe për Usain Bolt erdhi. Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra ka zbritur sot paradite në fushën e skuadrës gjermane të Borussia Dortmund, ku do të bëjë një provë për të kuptuar nëse është në gjendje të nisë një karrierë si futbollist apo jo. Atleti xhamajkan ka mbërritur që dje në Dortmund, ku ka vizituar qendrën stërvitore, ndërsa sot edhe në prani të mediave, njeriu më i shpejtë në botë ka zbritur në fushë me skuadrën verdhezi.

Një provë apo një spektakël për atletin 31-vjeçar, që kërkon të bëjë realitet ëndrrën e tij, për t’u bërë një futbollist profesionist. “Pasi të bëj këtë test do të kuptoj nëse jam në gjendje të bëj futbollistin në të ardhmen apo jo. Vetëm më pas do të bisedoj me klubin. Nuk dua të bëj hapin më të madh se sa duhet. Po jetoj një ëndërr, po nis një kapitull të ri dhe të shoh se deri ku mund të arrij”, u shpreh atleti xhamajkan Usain Bolt.

Për mediat ka folur edhe trajneri Stoger, që tha: “Usain kërkon të testojë veten dhe më pas do të vendosim. Do të kryejmë një program normal, nxehmje, gjuajtje në portë dhe gjithçka që kryehet në të tilla raste. Nuk e kam parë kurrë duke luajtur, ndaj mezi po pres. E vetmja gjë që e di për siguri është se nuk ka për të dështuar në shpejtësi. Edhe skuadra është e kënaqur nga prania e Bolt dhe do të jetë një fundjavë e këndshme për të gjithë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu