Vajza e Komandant Strugës reagon ndaj akuzave të Adnan Azizit: “Mos e përdorni emrin e babait tim për kauza politike”

Shefi i shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, gjatë fjalimit në konventën promovuese në Shkup, akuzoi Ali Ahmetin për vrasjen e komandant Nuri Mazari – Komandant Struga. Pas kësaj deklarate të fortë, ka reaguar vajza e tij, Shqidona Mazari, e cila me një qëndrim publik i kërkoi Azizit llogari për përdorimin e emrit të babait të saj në debate politike.

“Për nderin e babit tim dhe padrejtësinë që vazhdon, ndjej detyrimin moral dhe njerëzor të reagoj publikisht për një plagë që familja ime e mban prej dy dekadash”, shkruan ajo.

Shqidona Mazari theksoi se edhe më 11 korrik 2025 kishte deklaruar publikisht: “E dimë kush e vrau Nuriun në vitin 2005, por për 20 vite me radhë ai është vrarë çdo ditë nga institucionet: nga policia, prokuroria dhe gjykatat.”

Në vazhdim deklaratën e plotë të vajzës së Nuri Mazari:

“Për nderin e babit tim dhe padrejtësinë që vazhdon
Me keqardhje të thellë ndjej detyrimin moral dhe njerëzor që të reagoj publikisht për një çështje që për familjen time është plagë e hapur prej dy dekadash.
Më vjen keq që jam e detyruar ta ndaj me qytetarët një moment kaq personal – videon e vetme që kam me babanë tim – vetëm për të bërë një deklaratë që nuk duhej të kishte nevojë për dëshmi të dhimbjes sonë.
Dua të theksoj sërish, ashtu siç kam deklaruar më 11 korrik 2025: “E dimë kush e vrau Nuriun në vitin 2005, por për 20 vite me radhë ai është vrarë çdo ditë nga institucionet: nga policia, prokuroria dhe gjykatat.” Kjo padrejtësi e zgjatur është krim më vete.
Ali Ahmeti dhe Komandant Struga – Nuri Mazari, babai im – ishin bashkëthemelues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Babai im, Komandant Struga, dhe Ali Ahmeti bënë realitet fitimin e Komunës së Strugës, që sot të ketë mundësi çdo parti shqiptare të garojë në zgjedhje si e barabartë dhe Kryetari i Komunës të jetë nga radhët e përkatësisë etnike shqiptare.
Sot ndjej nevojën të jem edhe më e qartë: personi që u përmend në atë fushatë publike, ku morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, nuk është vrasësi i babait tim. Nuk është vetëm padrejtësi ndaj tij, por është edhe një abuzim i rëndë me kujtimin e babait tim dhe me vuajtjen e familjes sonë.
Zotëri Adnan Azizi, me çfarë të drejte e përdorët këtë emër të shenjtë për kauza të momentit politik? A nuk e dini se idealet nuk janë mall tregu? Se gjaku dhe sakrifica nuk janë slogan elektoral?
U bëj thirrje të gjithë atyre që e përmendin emrin e tij për qëllime politike, personale apo propagandistike, që të ndalojnë menjëherë. Mos e përdorni Nuriun – as jetën e tij, as vdekjen e tij – për përfitime apo qëllime të ulëta. Është e padenjë. Është e turpshme. Kujtimi i babait tim meriton drejtësi, jo përdhosje.
Mos u zini mes vete, shqiptarë. Mos e bëni dhimbjen armë. Bashkohuni, sepse kur jeni bashkë, jeni më të fortë, më të pathyeshëm, më të respektuar.
Kjo është rruga e vetme përpara: rruga e besës, e unitetit dhe e forcës kombëtare.
Me respekt dhe përgjegjësi, Shqidona Mazari”, përfundon deklarata e vajzës së Nuri Mazari. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu