Autoritetet italiane kanë dëbuar disa emigrantë shqiptarë nga territori i Italisë për shkak të precedentëve penalë dhe mungesës së kushteve ligjore për qëndrim të rregullt. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane.
Sipas raportimeve, një shqiptar 55-vjeçar u ndalua gjatë një kontrolli në Brescia dhe iu refuzua leja e qëndrimit, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore, duke u urdhëruar për dëbim dhe riatdhesim. Një tjetër 26-vjeçar u ndalua në qendër të qytetit pa leje qëndrimi dhe me precedentë penalë, ndërsa një 32-vjeçar u kap nga Policia Hekurudhore pasi tentoi të vidhte bagazhin e një udhëtari.
Mes rasteve të tjera përfshihen edhe një 28-vjeçar i arrestuar në zonën e Lenos për trafik droge, një 39-vjeçar që u dëbua menjëherë pas përfundimit të dënimit me burg, si dhe një 22-vjeçar me precedentë për vjedhje banesash, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe plagosje.
Autoritetet italiane raportojnë se në këtë zonë janë hequr gjithsej 355 leje qëndrimi për emigrantë të shpallur “non-grata”. Të gjitha masat janë marrë me vendim të Shefit të Policisë së Brescias, Paolo Sartori, në kuadër të operacioneve të sigurisë dhe verifikimit të statusit të qëndrimit, duke zbatuar procedurat e dëbimit dhe riatdhesimit drejt Shqipërisë.










