Vazhdon përplasja e Mustafës me eurodeputeten gjermane: Po përzihet në politikën e vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar deklarimet e eurodeputetes gjermane dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon Taubadel, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar mocionin e organizuar nga LDK për rrëzimin e Qeverisë Kurti, në kohën e pandemisë, gjë që sipas saj do të ishte një katastrofë për Kosovën.

Mustafa ka folur për qëndrimin e kësaj eurodeputete në një intervitë për RTV 21, ku ka thënë se deklarimet e Cramon janë të pashembullta, meqë roli i saj është të mos përzihet në situatën politike në vend.

“Unë e shoh tash edhe një ndërhyrje shumë të madhe të përfaqësueses në Parlamentin Evropian.Për mua është totalisht e pa drejtë, e pa shembullt, sepse nuk është roli i saj që ajo tani të përzihet në situatën politike dhe të vlerësoj se janë të papërgjegjshëm 2/3 e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës që kanë vendos për mocionin e mosbesimit, sepse është përgjegjësi shumë e madhe që një fuqi të tillë të parlamentit ta shpallësh të papërgjegjshëm”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK’së tutje thotë se me qëndrime të tilla, Cramon ka treguar haptazi se anon plotësisht nga një parti politike dhe nuk përfaqëson siç duhet interesat e Kosovës në Parlamentin Europian.

Duket që është një anim krejtësisht partiak, dhe jo një përfaqësim ashtu siç duhet i interesave të Kosovës në Parlamentin Evropian”, ka përfunduar Isa Mustafa.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu