Qyteti i Pazarit të Ri (Novi Pazarit) është tronditur nga vdekja e Samir Dolovac, për të cilin familjarët dhe miqtë thonë se ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës brutale të ushtruar ndaj tij nga njësia speciale e policisë serbe, përcjell INA. duke cituar mediat lokale.
Sipas familjes, Samir Dolovac ishte ndaluar nga policia më 30 tetor të vitit të kaluar, së bashku me Besim Mavriq, pas një ndërhyrjeje të policisë së ndërhyrjes së shpejt në një lokal në lagjen Shestovo të Pazarit të Ri, me arsyetimin pë shkak të muzikës së zhurmshme.
Besim Mavriq, dëshmitar okular, ka deklaruar për televizionin N1 se policia fillimisht i kërkoi dokumente personale, por situata më pas eskaloi në keqtrajtim fizik.
“Na urdhëronin të uleshim e të ngriheshim pa arsye. Pastaj njëri prej tyre e kapi Samirin për dore dhe e tërhoqi. Kur reagova, më goditën në kokë. Na rrëzuan në tokë dhe na shkelmonin pa ndalur. Na tërhoqën jashtë lokalit, na rrahën, na lidhën dhe vazhduan dhunën derisa na futën në makinën e policisë,” ka rrëfyer Mavriq. Ata u mbajtën dy ditë në paraburgim policor.
Pas lirimit nga paraburgimi, Samiri u kthye në shtëpi me lëndime të shumta në trup dhe në kokë, pohon bashkëshortja e tij, Elma Dolovac. Ajo thotë se mjeku kujdestar atë natë i kishte qepur plagën në kokë dhe kishte konstatuar se ishte “i aftë për paraburgim”. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua shpejt.
“Pas ndalimit, ai fliste me vështirësi, nuk e kontrollonte trupin dhe filloi të humbte kujtesën,” thotë Elma Dolovac. Pas kërkimit të ndihmës mjekësore, Samiri u shtrua në Qendrën Klinike të Kragujevcit, ku mjekët konstatuan gjakderdhje në tru.
Ai qëndroi në gjendje të rëndë për rreth tre muaj dhe ndërroi jetë më 21 janar.
“Burri im vdiq nga pasojat e goditjeve dhe shkelmave, nga gjakderdhja në tru. Nuk kishte asnjë sëmundje paraprake. Lëndimet i mori nga goditjet në kokë,” deklaron bashkëshortja e tij.
Vdekja e Samir Dolovac ka shkaktuar revoltë dhe shqetësim të madh në Sanxhak. Ka reaguar edhe kryetari i komunës së Novi Pazarit, Nihat Bishevac, i cili ka kërkuar hetim të plotë. Prokuroria ka urdhëruar autopsi, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) ka njoftuar se hetimi është në zhvillim.
Megjithëse nga kontrolli i brendshëm i MUP-it thuhet se do të hapet procedurë hetimore, asnjë nga policët e përfshirë nuk është suspenduar. Ende nuk dihet nëse ekzistojnë pamje nga kamerat e sigurisë së lokalit, edhe pse sipas dëshmitarëve ato ekzistojnë.
Familja dhe qytetarët kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi penale, duke theksuar se rasti i Samir Dolovac nuk duhet të mbetet edhe një emër tjetër në listën e dyshimeve për brutalitet policor në Sanxhak./INA/










